Uncategorized

“O Sa Mirë” formon klasë në Zvicër, Ridvan Murati ‘Qabi’ tregon për projektin dhe për përhapjen e kulturës shqiptare në diasporë

Ridvan Murati, i njohur për publikun si “Qabi”, zbulon për të rejat e “O Sa Mirë” dhe për punën e tij në teatrin në Zvicër dhe kontributin e tij për kulturën shqiptare në diasporë.

I njohur për publikun shqiptar për rolin e ‘Milionerit Qabi’ në serialin shumë të shikuar shqiptar, Murati tash e sa kohë është pjesë shumë e rëndësishme e teatrit të Baselit “Theaterfalle”, ku luan në mbi 90% të projekteve.

Përderisa punën në teatër e ka punë të rregullt, Ridvani ka qenë në krye të detyrës në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih si ushtrues detyre, që nga korriku i vitit 2017.

I pyetur për borxhin e përfolur, ai duke qeshur na e ka kthyer me pyetjen: ‘Po ti a e ke paguar qiranë e zyrës tënde?” duke lënë të kuptohet se ai ishte thjesht një punëtor në Qendër dhe se ajo ishte detyrë e Ministrisë së Diasporës, të cilët gjithsesi se gjithmonë e paguajnë dhe nuk ka pasur asgjë të vërtetë rreth asaj që është thënë.

Gjithashtu tregon se ka filluar të mësohet me këto lajme ‘fake’ dhe nuk do të çuditet nëse sheh ende të tilla e edhe më të rënda në të ardhmen.

Ajo që ia vlen të ceket është se në vitin 2015, bashkë me drejtoreshën e ‘Theaterfalle” kanë qenë në Gjilan e pas tre muajve ka sjellë gjithë ekipin e teatrit në Kosovë.

Ndërsa katër muaj më vonë, trupa teatrale e Gjilanit kanë shkuar në Zvicër ku kanë qëndruar tri javë dhe kanë përfunduar shfaqjen “Der besuch aus Gjilan”, për ët cilën të gjitha biletat edhe për repriza u shitën brenda 2 orëve dhe publiku ishte zviceranë-shqiptar të cilët u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur.

Me Qendrën e Kulturës solli frymë të re duke filluar “Ditët e Kulturës Shqiptare”, që u mbajt në nëntor të vitit 2017, në vendet si Bern-Geneva-Cyrih-Winterthur, ku kishte shfaqje-ekspozitë dhe muzikë e vjetër qytetare.

“Mendoj se Arti dhe Kultura janë ura më e mirë lidhëse mes dy popujve dhe unë ndihem jashtëzakonisht mirë që punoj me zviceranë dhe shqiptarë”, është shprehur Ridvani.

Murati thotë kështu pasi ai është angazhuar gjithmonë që të përhapë kulturën shqiptare nëpër Zvicër, e njësoj siç ka bërë me punën në Qendër, pjesë e të cilës nuk është më, ai do të vazhdojë me shoqatën ‘Plan K’, që e ka krijuar vetë, për të vazhduar me projektet e planifikuara.

Ndër projektet më të suksesshme që ai përmend është ai kur me një ekip të madh me artistë shqiptarë në diasporë kanë performuar para një publiku prej 4000 personash.

Ndërsa tani ai dhe shoqata e tij në bashkëpunim me “Guramania” janë bërë gati për projektin më të madh deri tani, përhapja e serialit ‘O Sa Mirë’ edhe në diasporë.

Ridvani zbulon për Gazetën Express se sezoni i ri serialit shumë të shikuar shqiptar, përveç që ka përfshirë shqiptarë nga të gjitha trevat, tani po përfshin edhe diasporën.

Aty do të përfshihen aktorë me role të shqiptarëve nga vendet e ndryshme të botës, si nga Zvicra, Austria, Gjermania e madje edhe Amerika.

Konkursi për përzgjedhjen e aktorëve pritet të hapet, ndërsa ai tregon se interesimi është aq i madh, sa edhe mediat kryesore në Zvicër, përfshirë dy gazetat më të mëdha, ‘Blick’ dhe “20 minuten” kanë dëgjuar dhe janë interesuar për këtë projekt, për të cilin edhe po shkruajnë artikuj.

Ridvani na tregon se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e shkollës, madje si drejtor i shkollës në Zvicër ndërsa aktorët tashmë të njohur të serialit do të vijnë në rolin e profesorëve. Nxënësit do jenë të gjithë të ri dhe nga diaspora.

Fillimisht në episodet e para do të bëjmë episode nga Kosova dhe rrjedhimisht do të prezantojmë edhe klasën në Zvicër. Më pas, ngjarja do të vazhdojë e gjitha në Zvicër, ku do të bëjmë xhirime nga katër episoda një herë në muaj”, zbulon “Qabi” për Gazetën Express.

Projekti financohet nga ‘Plan K’ dhe ‘Guramania’ dhe sponzorët tashmë janë gjetur.

Audicionet për rolet në diasporë do të mbahen më 15 shtator, të shtunën nga ora 14:00 në Murteschenstrasse 27 8048 në Zurich të Zvicrës.

Pra, sezoni i ‘O Sa Mirë’ po vjen me risi ndërsa pritet të shihet si do të pritet nga publiku shqiptar.

Kurse nga Ridvani presim të dëgjojmë për sa më shumë projekte të reja dhe që qëllimi i tij për të përhapur sa më shumë kulturën shqiptare në Zvicër e diasporë të shkojë gjithmonë me sukses./Gazeta Express/ 

 

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com