ZONA

“Kosovari i pashkollë që komplekson Facebookun”, storia që për pak orë mashtroi të gjithë

Leonard Abdullahu nga Gjilani ka arritur që për pak orë ta mashtrojë Klan Kosovën, por jo vetëm.

Një storie e Klan Kosovës e titulluar “Kosovari i pashkollë që komplekson Facebookun”, ka “bërë për vete” shumë persona.

Klan Kosova kishte intervistuar Leonard Abdullahun, i cili pretendonte se ka gjetur një gabim në Facebook dhe kjo e kishte punësuar atë si “përgjegjës për sigurinë e llogarive kosovare”.

“Çdo kosovar që e ka një problem me llogari edhe ka bërë një kërkesë përmes formave të Facebook-ut, unë e kapi atë në sistem administrativ që e kam dhe merrem me zgjidhjen e atij rasti”, tha ai.

Abdullahu nuk ka përfunduar studimet, madje as shkollën e mesme. “Diploma i duhet gjithkujt, por në këtë ku jam unë jo. Pra hobi më ka ndihmuar të arrij një pozitë të mirë. 72 orë kam ndejtë pa gjumë për të zgjidhur problemin dhe në fund ia kam dalë. Ka ndodhë më së shumti që kompjuteri i nuses është prishë dhe kam pasë më shumë raste tek ajo dhe kështu jemi njoftuar më shumë”, kishte shtuar Abdullahu.

Por, janë disa fakte që na bëjnë të besojmë se e gjithë storia është thjesht një mashtrim.

E para, Klan Kosova ka fshirë artikullin dhe videon e stories në kanalin e vet zyrtar në YouTube dhe ueb-faqe.

E dyta, në storie, Abdullahu pretendon se është i pari në listën e falënderimeve të Facebook për persona që kanë gjetur gabime.

Mirëpo, nëse e hapni këtë listë, emri i tij nuk figuron.

E treta, një person me kompetencë të tillë do të kishte të paktën një profil të verifikuar si dhe nuk do të guxonte që kaq hapur të fliste se është përgjegjës për një sektor kaq të ndjeshëm, shkruan Gazeta Express.

Edhe Mentor Hoxhaj, nga fusha e sigurisë kibernetike, me anë të një postimi në Facebook, thotë se Facebook nuk ka të punësuar në Kosovë.

Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Klan Kosova ose Abdullahu për storien e fshirë.

 

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com