ZONA

Historia se si spiunët britanikë përdorën “lajme të rreme” për të rrëzuar udhëheqësin nazist!

Historia e pabesueshme e vërtetë se si spiunët britanikë përdorën lajme të rreme për të rritur presionin ndaj Hitlerit thuhet se është zbuluar për herë të parë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në vitin 1940, Overseas News Agency (ONA) u krijua për të siguruar histori për mediat, me premtimin se “ajo do të përbëhet pa propagandë”.

Megjithatë, më pak se një vit më vonë po punonte në “hije” me britanikët për të përhapur lajme të rreme, të dizajnuara për të diskredituar Hitlerin dhe për të ndërtuar mbështetje për ndërhyrjen e SHBA-ve në luftë.

Në një nga historitë e trilluara, siç bëhet e ditur, pretendohej se Hitleri ishte paranojak për mustaqet e tij të ngjashme me Stalinin.

Por ONA gjithashtu paraqiti raporte objektive për ngjarjet e rëndësishme, duke i dhënë agjencisë kredibilitetin e mjaftueshëm, në mënyrë që shkrimet e saj të botoheshin edhe në prestigjiozet si The New York Times dhe The Washington Post.

Steve Usdin, libri i ri i të cilit quhet “Bureau of Spies” zbulon historinë sekrete të ONA, tha se “spiunët britanikë” u takuan dy herë në javë për të përgatitur histori të reja për publikun “e paditur”.

Ai tha: “Qeveria britanike kishte një skemë të mirë, të koordinuar për gjenerimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rrejshme”.

“Një organizatë e quajtur Underground Propaganda Committee (UPC) u takua dy herë në javë në Londër për të miratuar lajmet e reja”.

“Në Evropën kontinentale, ato u shpërndanë pothuajse ekskluzivisht përmes fushatave të ndryshme”.

“Por në SHBA, ONA ishte përdorur për të vendosur ‘lajmet e rrejshme’ në gazetat amerikane që nuk ishin në dijeni se materiali ishte frymëzuar nga qeveria britanike”.

Ndërkohë në gusht të vitit 1941, UPC-ja përfytyroj një sërë lajmesh të tilla që sugjeronin se shëndeti mendor i Hitlerit u përkeqësua.

Një tjetër deklaroi: “Paranoja e Hitlerit ka arritur pikën ku vuan nga mashtrimet”.

Një javë më vonë, Boston Globe kishte botuar një histori të ONA-s në faqen e saj të parë, e cila tha se kishte “prova rrethanore” se Hitleri kishte pësuar një “avari të rëndë nervore”.

Në të njëjtin muaj, The New York Times botoi një histori të ONA-s për vdekjen e një kreu beduin në Jordan, duke thënë se “në vdekjen e tij panë një shenjë të një humbjeje të ardhshme për Adolf Hitlerin”.

Dhe në nëntor 1941, e njëjta media përsëriti një lajm të tillë të ONA-s se marina britanike kishte zhvilluar një super-eksploziv, 47 herë më të fuqishëm se TNT.

E një raport sekret i qarkulluar midis spiunëve britanikë dhe diplomatëve ka deklaruar qëllimin e rrëfimeve të rreme.

“Është për të nxitur alarm, dëshpërim dhe hutim në mesin e armiqve, dhe shpresë dhe besim tek miqtë”, tha raporti.

ONA u themelua në korrik të vitit 1940 nga Jacob Landau i Agjencisë Telegrafike Çifute (JTA), një shërbim i cili ende ofron lajme për gazetat hebraike sot.

Në atë kohë, Britania qëndronte e vetme kundër Hitlerit. Pra, siç vlerësohet tutje, përcjell Telegrafi, nuk është çudi që Britania ishte e prirur për të ndikuar opinionin publik në SHBA.

“Të dy organizatat ishin të përkushtuara për të luftuar fashizmin”, ka thënë tutje Usdin.

“Kjo përfshinte përfshirjen e opinionit publik amerikan në mënyra të ndryshme që krijuan mbështetje politike për SHBA-të duke siguruar ndihmë materiale për Britaninë dhe përfundimisht duke ndërhyrë në luftë”.

Sipas Usdin, megjithatë, nuk ka dëshmi se gazetarët e ONA e dinin se po bashkëpunonin me spiunë.

“Opinioni i favorshëm publik i dha presidentit Roosevelt besimin për të dërguar furnizime që mbështetën Britaninë në një kohë kritike”.

Por a do të thotë kjo që lajmi i rremë mund të jetë një gjë e mirë?

“Propaganda apo ‘lajmi i rremë’ është një armë” tha zoti Usdin. “Duhet të vendoset me kujdesin dhe përmbajtjen që duhet të zbatohet për përdorimin e çdo arme”.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com