ZONA

Aktakuzë kundër Agim Çekut dhe 11 të tjerëve për veteranët e rrejshëm

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka përfunduar aktakuzën që e kishte lënë të pakryer prokurori Elez Blakaj për rastin e veteranëve mashtrues, duke e ngritur atë sot zyrtarisht. Blakaj kishte gjetur se 19 mijë persona kanë përfunduar në listat e veteranëve, pra si veteranë të rrejshëm. Për këtë Gazeta Express mëson se janë akuzuar anëtarët e Komisionit Qeveritar, në krye me Agim Çekun dhe 11 zyrtarë tjerë.

Prokuroria thekson se ka kërkuar që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së. Bëhet e ditur se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Rasti Blakaj kishte tronditur opinionin pasi ish-prokurori i Prokurorisë Speciale ishte larguar në SHBA, duke thënë se ka marrë kërcënime. Pas largimit ai ishte sulmuar edhe nga kryeministri Haradinaj i cili e kishte quajtur hajn.

Gazeta Express mëson se bëhet fjalë për të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

“Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori i rastit.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata ta lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

“Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

 

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com