ZONA

18 vjeçarja nga Zhegra akuzon vjehrrin për dhunim, gruaja e të dyshuarit mohon gjithçka

Martesa e Fiknete Mustafës, 18-vjeçe nga fshati Zhegër zgjati vetëm dy muaj. Ajo u martua me krushqi në fshatin Gjylekarë të Komunës së Vitisë. Por aty, 18-vjeçarja në muajin e dytë të martesës thotë se u dhunua nga vjehërri i saj, Xhevati 53 vjeçar. Ajo rastin e ka paraqitur në polici. Gjatë kësaj jave policia e ka arrestuar të dyshuarin. Ndaj të dyshuarit për dhunim, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka shqiptuar masën e ndalimit duke kërkuar paraburgim për të njëjtin. Gazeta Express, ju sjellë rrëfimin e 18-vjecares si dhe familjes së të akuzuarit për këtë ngjarje.

‘Ishim vetëm në shtëpi. Ai nisi me fol palidhje. Më zhveshi dhe më dhunoi”, kështu e fillon rrëfimin një vajzë 18-vjece e cila thotë se u dhunua nga vjehërri i saj 53 vjeçar. Vajza nga Zhegra e Gjilanit, Fiknete Mustafa para dy muajve është martuar me krushi me Fatlum Ismailin nga fshati Gjylekarë i komunës së Vitisë.

Shtëpia ku ka qenë e martuar Fiknetja

Por aty që prej ditës së parë të martesës, Fiknetja thotë se vazhdimisht është ngacmuar seksualisht nga vjehërri i saj, Xhevati, 53 vjeçar. Gazeta Express, sjellë rrëfimin nga familja e viktimës dhe të të akuzuarit për këtë ngjarje.

Viktima, 18-vjecarja, Fiknete Mustafa, shpjegoi sot se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.
“Unë jam martua që dy muaj. Me këtë burrin tim jam njoftu përmes një shoku të babës. Ai u kanë msit. Në familjen e tyre kam kaluar mirë, përveç vjehrrit që më ka ngucë”, thotë ajo.

Në foto: Fiknete Mustafa e cila po e akuzon vjehërrin për dhunim

Sipas saj ngacmimet e vjehrrit ndaj saj, fillonin kur në shtëpi nuk gjendej askush. Aty ajo thotë se fillonte tortura.

“Kur nana shkojke në Verban. Ai më thoshte hajde lartë ose shkojmë në hotel. Ai nuk ka qenë bash mirë. Ai më ka dhunu, më ka prekë”.

Fiknetja tregoi edhe për momentin kur me dhunë babai i burrit të saj, e dërgoi për në katin e tretë të shpisë dhe aty e dhunoi.

“Ngjarja ka ndodhë në katin e tretë të shtëpisë. As burri e as vjehrra nuk kanë qenë në shtëpi. Shkun ata, dolën.  Më mori me zor, për krahu në katin e tretë. Ai folke palidhje, më ka zhvesh edhe aty ndodhi ngjarja. Unë kamë tentu me ikë, ai e ka mbyllë derën me çelës. Para gjashtë ditëve ka ndodhë kjo ngjarje”, rrëfen ajo.

Në foto: Fiknetja me prindërit e saj

Por për gjithë këtë ngjarje, 18-vjecarja thotë se e ka njoftuar edhe bashkëshortin e saj. Ajo tha se ka marrë përgjigje që nuk mund t bëjnë asgjë.

“Unë i kam tregu burrit për këtë ngjarje. Ai më ka thanë nuk kam se cfarë t’i bëjë. Unë ma nuk mujta me duru aty, e thirra babin në telefon, i tregova që vjehrri më ka ngucë’.
E për gjithë këtë punë, ajo ka edhe video incizime të cilat i ka dëgjuar ekipi i gazetës. Në to dëgjohet teksa Xhevati i kërkonte marrëdhënie seksuale resë së tij, Fiknetës.
“Unë e kam incizuar edhe vjehrrin kur më ka thanë, hajde në hotel, lahemi bashkë, shkojmë në Gjilan në hotel. Aty ma nuk kamë guxu unë me nejtë, s’po guxojë me nejtë aty unë kur po është aj”, ka deklaruar ajo.

Rreth kësaj çështjeje, Gazeta Express, ka qëndruar edhe në shtëpinë e të akuzuarit Xhevatit.  Gruaja e tij, nuk foli fjalë të mira për renë e saj. Tha se e gjithë ngjarja është e sajuar nga familja e nuses dhe se ajo nuk është mirë mendërisht.

“Askush nuk është në shtëpi. Reja është te nana e vetë, e djali është në Polici”, ka deklaruar ajo duke treguar se djali i saj i cili ka qenë i martuar me Fiknetën ka shkuar në polici për t’ia dërguar disa dokumente prindit të tij i cili gjendet në qendrën e paraburgimit.

Vjehërra e Fiknetës

“Nuk kemi pas asnjë problem me ta ma herët. Nusja u pat martu qe dy muaj. Rrenë është, Xhevati nuk është qasi dore. Prej që ka ardh ajo nusja, c’ka s’ka ba. Herë u nalke, e herë vijke. Ajo ish kanë e smut, komplet familja ishin të smut”, ka deklaruar vjehrra e Fiknetës.

E viktima e kësaj ngjjrje Fiknetja thotë se më nuk e ka ndërmend që të kthehet më në shtëpinë e burrit të saj. Ajo zotohet që gjithë këtë ngjarje do ta dërgojë deri në fund.

“Me të parin e këtij muaji unë kamë ardhë në shtëpi te baba. Rastin e kamë paraqitë në polici me të dytin. Ata para se me paraqitë rastin kanë ardh burri bashkë me vjehrrën në shtëpi edhe kanë tentu me i thye dyertë. Unë në polici e kamë tregu gjithë punën. Unë më aty nuk do të kthehem. Edhe dje kanë qenë policia këtu më kanë intervistu. Kem edhe te mjekët në Prishtinë, aty nuk kishin qenë mjekët edhe e lan”, deklaron ajo.

Ndërkohë, prindi i saj, Besimi i tha Gazetës se më nuk do ta lejojë vajzën e tij që t’i kthehet Fatlumit.

Prindi i viktimës

“Vajza më  ka thanë që ma nuk don me u kthy. Dhandri pardje ka telefonu, i kamë thanë që kjo punë u kry. Cika ma nuk don me ardhë. Rastin e kemi qu në polici. Tash ja kemi lanë në rrugë. Është shumë e randë ajo që i ka bërë cikës time”, ka deklaruar ai.
E për gjithë këtë ngjarje është e njoftuar edhe prokuroria e shtetit. Këta të fundit thotë se gjatë ditës së djeshme është njoftuar nga Policia e Kosovës për një rast dhunimi, i cili ka ndodhë në komunën e Vitisë. Sipas Prokurorisë, dyshohet që i njëjti këto veprime i ka ndërmarrë duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve tjerë të familjes.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në fund të muajit shtator 2018, i dyshuari XH.I., e ka ngacmuar dhe shfrytëzuar seksualisht të dëmtuarën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeçare – bashkëshorten e djalit të tij, në atë mënyrë që me forcë dhe pa pëlqimin e saj, e detyron të kryejë marrëdhënie seksuale, në shtëpinë e tyre”, thuhet në një komunikatë për medie të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Sipas Prokurorisë, dyshohet që i njëjti këto veprime i ka ndërmarrë duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve tjerë të familjes, duke përfshirë edhe mungesën e bashkëshortit të të dëmtuarës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, menjëherë pas njoftimit të këtij rasti, ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendimin mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ”Dhunimi”, nga neni 230 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 nën paragrafi 3.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

 

 

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com